Rritja e shpejtë e biznesit të Facebook është tashmë një fakt i pamohueshëm. Vitet e fundit shumë njerëz kanë shkruar për biznesin e kolosit të rrjeteve sociale dhe fenomeni është studiuar dhe analizuar pa fund. Kohët e fundit shumë analistë kanë thënë se edhe kjo rritje ka një limit dhe do të ndalë. Me sa duket nuk ka ardhur akoma koha. Numri i përdoruesve të Facebook ka vazhduar të jetë në rritje edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Rriten të ardhurat nga reklamat
1,94 miliARDë përdorues
Kompania e famshme e rrjetit social ka raportuar se numri i përdoruesve në gjithë botën ka shkuar në 1,94 miliardë. Me sa duket këtë tremujor ka shumë gjasa që numri i përdoruesve të kapë shifrën e 2 miliardëve.
Rritja e përdoruesve shkon krah për krah me rritjen e të ardhurave nga reklamat pra të biznesit bazë të kompanisë. Në tremujorin e parë të vitit 2017 kompania ka fituar 1,86 miliardë dollarë duke i rritur kështu fitimet me 4,3 % në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2016.
Tregje të reja dhe konsolidim të atyre aktualë
Për sa i përket shpërndarjes së tregut janë dy faktorë që bien në sy.
Së pari është rritur numri i përdoruesve në Azi me 43 milionë dhe kjo tregon se në Azi ka një interes në rritje për Facebook.
Së dyti vazhdon të rritet tregu i Amerikës Veriore megjithëse me “vetëm” 3 milionë përdorues të rinj. Për shumë analista ky treg tashmë ishte i tejngopur dhe nuk kishte më hapësirë për rritje. Me sa duket edhe në Amerikë e Kanada ky moment nuk ka ardhur akoma.












