Disa ditë më parë kompania e madhe amerikane Google bëri të ditur se pezulloi për një periudhë tremujore liçencën e sistemit operativ për telefona Android për Huawei. Kjo masë vjen si pasojë e bllokimeve të shumta që administrata e presidentit Donald Trump po i bën prodhimeve kineze. Një masë e tillë mendohet se do të ketë shumë pasoja të rënda për biznesin e kompanisë kineze në vendet e zhvilluara. Reagimi i menaxherëve të kompanisë ishte i menjëhershëm. Ata deklaruan se për momentin kjo nuk sjell ndonjë problem të madh dhe kompania i garanton klientëve me telefon Huawei se përditësimet do vazhdojnë. Po ashtu edhe për pjesët mekanike dhe chip pasi Huawei ka akoma shumë rezerva.
Megjithëse kompania kineze mundohet të tregohet e qetë problemet po shtohen dita-ditës. Në Angli për shembull kompanitë e telekomunikacionit po fillojnë të anullojnë ose të shtyjnë takimet dhe datat e prezantimit të telefonave të rinj të markës Huawei.
Operatori më i madh në Angli, kompania EE, vendosi që ti heqë telefonat Huawei nga debutimi i sistemit të ri 5G. Po ashtu edhe Vodafone vendosi që të pezullojë porositë për telefonat 5G të Huawei.
Edhe në Japoni kanë filluar reagimet e para negative
Reagimet duket se janë negative jo vetëm në Europë. Dy nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në Japoni kanë vendosur të ndërpresin përkohësisht kontrata dhe data të prezantimit të telefonave Huawei. Për momentin bëhet fjalë për kompanitë KDDI e SoftBank. Kjo e fundit duhet të prezantonte sot, në datën 24 maj, telefonin Huawei P30 Lite dhe vendosi ta shtyjë datën. Po ashtu SoftBank mori vendimin që anullojë porositë e bëra deri tani.
Ky artikull është pjesë e editorialëve tanë mbi biznesin. Nëse do të dish më shumë të lutem kliko këtu










