Filmi mbi rekordmenin e Formula 1 është në fazat e fundit dhe do të shfaqet së shpejti me miratimin e plotë të familjarëve të kampionit. Siç dihet Michael Shumacher pati një aksident me ski në vitin 2013 që i dëmtoi rëndë kokën. Ai kaloi 6 muaj në koma dhe pasi u zgjua filloi një periudhë rehabilitimi intensiv në klinika private dhe pastaj në shtëpi. Në të gjithë këtë periudhë atij i ka ndejtur afër gruaja e tij Corinna në një heshtje të plotë për publikun. Në fakt shumë është folur në këto vite në shtyp mbi gjendjen e kampionit, por gati asnjë gjë nuk është e konfirmuar zyrtarisht nga familja. Me sa duket, familja ka vendosur ti bëjë një dhuratë fansave dhe Michael Shumacher duke lejuar dhe ndihmuar në përgatitjen e këtij dokumentari.
Shfaqja së pari në festivalin e Kanës e më pas për publikun do të përkojë gjithashtu me 50 vjetorit të rekordmenit i cili mbushi 50 vjeç në 3 janar të këtij viti. Dokumentari do të quhet “Schumacher” dhe drejtohet nga Michael Wech e Hanns Bruno-Kammertöns. Ai do të ketë filmime të arkivës private të familjes së kampionit dhe intervista të familjarëve. Bëhet e ditur se janë intervistuar jo vetëm e shoqja Corinna, por edhe vajza Gina dhe djali Mick Schumacher që vazhdon të ndjekë pasionit e të atit në Formula 2. Do të ketë gjithashtu një intevistë të babait Rolf Schumacher dhe të disa miqve të kampionit.
I vetmi që ka fituar 7 herë Formula 1 dhe 5 herë radhas me Ferrari
Karriera e Michael Schumacher është e pasur me fitore dhe rekorde që deri më tani askush nuk ka arritur ti thyejë. Së bashku me Ayrton Senna, që humbi jetën në një aksident tragjik në Imola në 1 maj të vitit 1994, ata janë dy nga legjendat e padiskutuara të Formula 1.















