Në erën dixhitale që po jetojmë lajme të tilla zakonisht nuk bëjnë dhe aq përshtypje. Kjo sepse jemi mësuar që kompanitë e mëdha blejnë shpesh kompani të tjera. Facebook për shembull ka blerë Instagram dhe WhatsApp dhe pati shumë sukses. Por ka diçka interesante në atë që ka deklaruar drejtuesi kryesor i kompanisë moderne amerikane.
Tim Cook i ka deklaruar rrjetit CNBC para disa ditësh se Apple është gjithnjë në kërkim të kompanive të suksesshme në sektorin e teknologjive të reja. Kompania që ka hedhur në treg disa nga prodhimet më moderne të viteve ’90 dhe të këtij shekulli si Macintosh, iPhone, iPod, iWatch etj ble çdo 2-3 javë nga një kompani të re. Vetëm se bëhet fjalë gjithnjë për kompani të vogla. Ky është një fakt shumë interesant pasi kjo do të thotë se shumëkush e ka mundësinë të shesë një prodhim inovativ sot edhe pse jo i përmasave të mëdha.
Ajo që duket se i mungon Apple në vitet e fundit është blerja e kompanive të mëdha. Në fakt blerja e fundit e madhe e Apple është ajo e kompanisë Beats, e themeluar nga reperi i famshëm Dr. Dre, dhe që prodhon prodhime audio. Kjo kompani është blerë në vitin 2014, pra fiks para 5 vitesh. 
Që atëherë konkurrentët e Apple (Google, Amazon, Facebook) kanë bërë disa blerje të mëdha, por Apple jo. Sipas analistëve Apple e ka vështirë të integrojë sistemet dhe punonjësit e vetë me ato të kompanive që ble. Në fakt shumë punonjës të Beats u larguan nga kompania pak kohë pasi ajo u ble nga Apple. Në rastin e kompanive të vogla kjo nuk është shumë problem.










