E si çdo vit erdhi më në fund 14 shkurti, dita e të dashuruarve. Shën Valentini është një eveniment i rëndësishëm për të gjithë të dashuruarit, por ndoshta pakëz i trishtueshëm për shumë prej atyre (ndoshta jo të gjithë) që dashurinë nuk e kanë gjetur akoma. E si çdo vit, sidomos për djemtë, arrijnë emaile nga vajza të bukura dhe joshëse që i kërkojnë atyre një takim. Shumë prej këtyre emaileve ndoshta nuk i shohim fare pasi filtrohen nga shërbimi i postës elektronike e shkojnë direkt në spam.
Vajza të bukura ruse dërgojnë fotot e tyre dhe i kërkojnë djemve të bëjnë po ASHTU
Sipas IMB x-force, kompanisë që monitoron e identifikon kërcënimet në fushën e informatikës, këtë vit emailet kanë filluar të shpërndahen që nga mesi i muajit janar. Sipas llogarive të IBM x-force deri tani janë dërguar rreth 230 milionë emaile spam në mbarë botën. Bëhet fjalë për emaile që kanë si subjekt shprehje në gjuhën anglese si Hi ose Hey dhe janë të shoqëruara nga foto të ndonjë vajze të bukur ruse që pretendon se jeton në Amerikë. Vajza prezantohet e thotë se e ka gjetur emailin e djalit në ndonjë faqe takimesh online si rrjeti social Baddo. Më pas i kërkon mashkullit ta kontaktojë duke i lënë një adresë emaili, por që nuk është i njëjtë me atë nga është dërguar emaili. Nëse djali i përgjigjet e i dërgon foto ose i informacione të tjera personale ato mund të përdoren për shantazh.
Ibm x-force ka arritur edhe të identifikojë edhe adresat e internetit (IP) që janë përdorur më shumë për të dërguar këto emaile. Gati një e treta e tyre vjen nga Vietnami (32%). Në vendin e dytë renditet India me 22 % ndërsa të gjitha vendet e tjera kanë më pak se 10 të emaileve të dërguara: Irani 9%, Meksika 7 %, Indonezia e Brazili 6 %, Kolumbia e Pakistani 5 % e kështu me radhë.
Ky artikull është pjesë e editorialëve tanë mbi sigurinë në rrjet. Nëse do të dish më shumë të lutem kliko këtu















