Quhet The Boring Company projekti i ri i themeluar nga Elon Musk për të zgjidhur problemet e trafikut. Miliarderi dhe vizionari amerikan i njohur për idetë dhe projektet e tij ekstravagante si për shembull SpaceX, Tesla e Neuralink çudit përsëri. Biznesmeni i njohur kishte folur më parë edhe në Twitter për projektin e tij dhe themeloi kompaninë e re në fund të vitit 2016, por lajmi është bërë publik vetëm këto ditë.
Rrugë 3D dhe jo më 2D

Siç e sqaron edhe tek faqja zyrtare ideja vjen padyshim nga trafiku gjithnjë e më i rënduar i rrugëve dhe që ndikon shumë tek jeta e përditshme e njerëzve. Por ndërsa shumë kompani po punojnë intesivisht në projektimin e makinave fluturuese Elon Musk prej kohësh e ka shprehur kundërshtimin e tij. Sipas tij makinat fluturuese mund të jenë të rrezikshme për trafikun dhe ndikohen shumë nga kushtet e motit. Përkundrazi tunelet nëntokësorë mund të ndërtohen në shumë nivele, janë të padukshëm dhe nuk kanë asnjë rrezik që makinat “të bien në kokë”.
Në faqen e vet zyrtare kompania ka publikuar edhe një video të shkurtër që ilustron idenë e vet.
Shpejtësi deri në 200 km/h dhe siguri e lartë
Në videon ilustruese duket qartë që makinat do të arrijnë shpejtësi të larta që shkojnë deri në 200 km në orë. Ndërsa kjo shpejtësi ndoshta nuk duket marramendëse po flitet për zona në brendësi të qyteteve dhe metropoleve ku zakonisht shpejtësia mesatare nuk shkon as 20-30 km në orë.
Ndër të tjerat ajo që bie në sy është platforma lëvizëse ku do të hipin makinat, pra shoferi nuk do ta ngasë vetë atë. Në këtë mënyrë mundësia e aksidenteve është afërsisht zero pasi gjithçka është e kontrolluar në mënyrë elektronike. Ndërkohë që edhe ndotja e ambientit do të jetë padyshim më e ulët.















