Nuk kanë të sosur risitë në botën e Amazon. Siç shkruan edhe Wall Street Journal, kompania e themeluar nga njeriu më i pasur në botë Jeff Bezos, po mendon të nisë një shërbim të ri postar krejt të vetin. Kolosi i shitjeve online ka themeluar pra një kompani të vetën që do bëjë shërbimin e postës. Shërbimi që quhet “Shipping with Amazon” do të nisë për herë parë në Los Angeles e si fillim do të postojë pako të kompanive që shesin në faqen e Amazon.
UPs dhe FedEx janë kompanitë që do të preken direkt
Me kalimin e kohës nuk është çudi që Amazon të hyjë si aktor kryesor në shërbimin e postës. Kjo do të thotë që një sektor tjetër, ai i postës, ka filluar të shqetësohet nga rritja pa kufij e kompanisë së shitjeve online. Është shpejt për të kuptuar nëse Amazon do të ketë sukses me këtë iniciativë të re. Sidoqoftë në Amerikë kompanitë FedEx dhe UPS janë ato që do ta ndjejnë më shumë konkurrencën e këtij aktori të ri të merkatos dhe ndoshta kanë filluar të rishikojnë strategjitë e tyre.
Amazon në fakt ka hyrë prej kohësh në sektorin e dërgesave postare. Dihet prej kohësh se kompania zotëron disa anije dhe avionë mallrash që përdor për dërgesat e veta. Po ashtu siç kemi folur edhe në disa artikuj kompania amerikane e shit-blerjeve po teston shërbimin e dorëzimit me anë të dronave apo dhe shërbimin Amazon Flex që i jep mundësinë gjithkujt të bëhet postier.
Ky artikull është pjesë e editorialëve tanë mbi biznesin. Nëse do të dish më shumë të lutem kliko këtu






