Kur të dalë në treg kjo bateri problemet tona të përditshme me bateritë do të zgjidhen njëherë e përgjithmonë
Të gjithëve na ka ndodhur të paktën njëherë që të ngelemi me celularin në dorë pa pasur mundësinë ta përdorim sepse i është shkarkuar ose po i shkarkohet bateria. Vijmë vërdallë nëpër qytet, stacione e bare me shpresë se mos gjejmë ndonjë prizë ose ndonjë karikues. Nuk do të ishte mirë që ti jepnim fund këtij problemi? Sa herë e kemi dëgjuar që po del një bateri e re ose që filan firmë e ka gjetur zgjidhjen, etj, etj?
Me sa duket Instituti i Kërkimeve të Floridës ka punuar seriozisht dhe me rezultate pozitive. Shkencëtarët e Institutit kanë krijuar një teknologji të re që përdor super kondesatorë për të funksionuar. Këta kondesatorë janë elementë elektrikë që shërbejnë për të depozituar dhe lëshuar ngarkesën elektrike. Por, në dallim me karikuesit që njohim të gjithë, këta kondesatorë lejojnë që energjia të depozitohet dhe lëshohet me një ritëm shumë më të shpejtë.
Nuk është një teknologji e re
Kjo teknologji ekzistonte edhe më parë, por dimensionet e kondesatorëve ishin të mëdhaja e nuk lejonin përdorimin në jetën e përditshme. Së fundmi shkencëtarët e Institutit arritën që të përdorin materiale shumë të vogla (nano) për krijuar bateri të përmasave po aq të vogla.
Bateri që rrojnë deri në 80 vjet pra mund të karikojnë instrumenta të ndryshëm gjatë jetës së tyre.
Për më shumë këto lloj baterish mund të karikohen disa herë më shumë sesa bateritë e sotshme që kanë një cikël prej 1500 karikimesh. Bateritë nano mund të karikohen deri në 30000 herë, pra nëse një karikim mban deri 1 javë do të thotë rreth 80 vjet pra për gjithë jetën.
Jo vetëm për telefona
Padyshim që këto bateri mund të përdoren jo vetëm për celularë, por edhe për të karikuar instrumenta të tjerë. Për momentin këto bateri nuk kanë dalë akoma në treg, por sigurisht kur të dalin celularët, tabletat e kompjuterat do të jenë instrumentat që do të përfitojnë menjëherë.









