Akeni ndopak nostalgji për Yllin e Kuq? Nëse po kanë menduar për ju ekspertët e informatikës së Koresë së Veriut. Ata kanë krijuar sistemin operativ Ylli i Kuq që mund të përdoret nga të gjithë qytetarët e shtetit diktatorial të Kim Jong Un. Me thënë të drejtën ky sistem operativ mund të përdoret edhe nga qytetarët e çdo vendi tjetër të botës pasi shpërndahet falas. Në fakt sistemi operativ Ylli i Kuq bazohet mbi Fedora i cili nga ana e vetë ka kernel Linux që siç dihet shpërndahet falas dhe mund të modifikohet sipas dëshirës dhe nevojës. Dhe është pikërisht ajo që kanë bërë ekspertët e informatikës së shtetit diktatorial të Koresë së Veriut.
Sistem operativ Linux dhe browser të ngjashëm me Firefox
Në plan të parë sistemi operativ Ylli i Kuq duket si një sistem i thjeshtë për tu përdorur megjithëse padyshim që është në gjuhën koreane. Ai duket i ngjashëm me sistemin operativ Mac Os të Apple që siç dihet është edhe ai i bazuar në Linux edhe pse përgjatë viteve është larguar disi nga ky i fundit. E po nga Mac Os apo Linux sistemi operativ Ylli i Kuq ka marrë edhe thjeshtësinë e përdorimit. Nëse ka ndonjë kurioz për ta shkarkuar dhe instaluar këtë sistem operativ versioni ifundit është 3.0 i vitit 2014 e gjendet këtu. Padyshim që duhet pasur kujdes se nuk i dihet. Ndoshta është më mirë të instalohet në një kompjuter që përdoret pak ose me makinë virtuale të instaluar më parë në komjuter.
Ekspertët e diktaturës koreane kanë vendosur të përfitojnë nga të gjitha avantazhet që sjell “bota e lirë”. Përveç përdorimit të një sistemi operativ falas me sa duket ata kanë vendosur të përdorin edhe një browser shumë të ngjashëm me Firefox e nuk është çudi që të jetë pikërisht ky browser, por disi i modifikuar. Madje nëse përdoret ky browser jashtë Koresë së Veriut është e mundur të vizitohen të gjitha faqet e botës perëndimore. Pra në pamje të parë duket se gjithçka është e hapur. Por për qytetarët e Koresë së Veriut nuk është e mundur të vizitohen faqe perëndimore pasi kufizimet bëhen në nivel qendror të rrjetit e jo në sistem operativ. Ky sistem mund të thuhet se është i ngjashëm me sistemin e “zhurmuesve” që përdorej në vendin tonë rreth 30 vite më parë për të kufizuar shikimin e kanaleve “të huaja”. Nuk është çudi që ekspertët e informatikës së diktaturës të jenë këshilluar me ndonjë ekspert të vjetër televizionit shqiptar.
Nëse të interesojnë artikuj të tjerë me kuriozitete nga bota e shkencës dhe teknologjisë të lutem kliko këtu














