Mersedes Benz makina autonome pa shofer

A e mbani mend makinën Kit dhe shoferin e saj aktorin e njohur David Haselhof? Ai u bë i famshëm më pas për publikun shqiptar edhe në rolin e Miçit tek seriali i famshëm Baywatch së bashku me bukuroshen Pamela Anderson. Që në fund të viteve 80, periudhë në të cilën u xhirua filmi Supercar, publiku filloi të thurrë ëndrra për makinat autonome. Kiti ishte një makinë plotësisht e automatizuar që falë inteligjencës artificiale arrinte të lëvizte rrugëve të Amerikës pa nevojën e shoferit e madje edhe të komunikonte.

E pra, me sa duket ajo që për të gjithë ne ishte një fantazi po bëhet realitet. Viti 2017 që sapo lamë pas shënoi një revolucion të vërtetë në fushën e inteligjencës artificiale në shërbim të makinave. Kompanitë automobilistike kanë shfaqur hapur synimet e tyre për të rritur investimet në fushën e makinave pa shofer. E viti 2018 pa dyshim që do të na servirë shumë të reja në këtë drejtim. Por si funksionojnë makinat pa shofer që janë në zhvillim deri më sot?

Sistemi i kontrollit dhe i drejtimit

Një ndër elementët kryesore të makinave autonome është një sistem me rreze lazer që quhet Lidar. Ky sistem nuk është aspak i ri, por ka filluar të përdoret që në vitet 60 pak kohë pas zbulimit të rrezeve lazer. Lidar shërben për të matur distancën e makinës nga oblektet e padyshim edhe subjektet që e rrethojnë. Ai është i instaluar në makinë dhe lëshon rreze në ambientin që e rrethon.

QUHET LIDAR SISTEMI i rrezeve që përdoret për orientim

Kur këto rreze hasin një pengesë ato kthehen pas. Në bazë të kohës që i duhet rrezeve për tu kthyer programi arrin të llogarisë jo vetëm distancën, por edhe formën e objekteve që e rrethojnë. Padyshim që një makinë lëshon jo vetëm një, por shumë rreze e në të gjitha drejtimet. Lidar mund të jetë i nevojshëm për shembull edhe për të parkuar sidomos kur makina shkon pas.

Përveç sistemit të kontrollit me anë të Lidar një vend të rëndësishëm në makinat autonome zë padyshim edhe sistemi GPS. Me anë të tij kompjuteri i makinës arrin të llogarisë edhe largësinë nga zona të ndryshme e madje edhe pozicionin e saktë të makinës. Kompjuteri i makinës është në funksion të plotë në procesimin e të dhënave që i vijnë nga këto dy sisteme, por edhe nga telekamerat dhe programet e tjerë në mënyrë që të marrë një vendim në çdo fraksion sekonde. Në këtë drejtim makinat autonome kanë bërë hapa shumë të rëndësishëm e janë në gjendje të njohim tabelat e qarkullimit rrugor, vijëzimet në asfalt apo edhe semaforët. Një ndër sfidat kryesore e më të vështira ngelet mundësia për të llogaritur veprimet e elementëve të tjerë që makina autonome has gjatë rrugës. Ato mund të jenë këmbësorët, biçikletat, shoferët e makinave të tjera e pse jo edhe kafshët. Në të ardhmen makinat pa shofer do të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe një ndër këto pengesa nuk do të jetë më.

Një sfidë e hapur

Po cilat janë realisht kompanitë automobilistike që po investojnë më shumë në këtë drejtim? Në vend të parë, të paktën për interesimin që ka ngjallur në publik është Tesla me drejtuesin e saj vizionar Elon Musk. Tesla ka deklaruar që do arrijë të nxjerrë në shitje makinën e parë autonome që këtë vit, pra 2018. Google me projektin Waymo ka filluar prej kohësh të bëjë publikë disa video ku tregon një makinë autonome pa shofer dhe reagimet e pasagjerëve. Së bashku me Toyota, Nissan dhe Hyundai Google deklaron se do fillojë shitjet në vitin 2020.

Makina pa shofer dhe autonome Mercedes Benz
Modeli luksoz F015 i Mercedezit

Kompani të tjera janë fokusuar më shumë në elementë të tjerë të rëndësishëm të makinave autonome e nuk kanë dhënë një datë të saktë. Volvo ka deklaruar disa herë se për kompaninë është kryesore siguria dhe deri tani rezultatet janë të kënaqshme. Për Mercedezin makinat autonome janë një realitet prej kohësh. Me modelin e saj luksoz F 015 të prezantuar në Las Vegas në vitin 2015 kompania thotë se po punon për të përsosur eksperiencën e udhëtarëve. Fiat Chrysler dhe BMW kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me Intel në projektin e një makine autonome.

Është mëse e qartë që një epokë e re ka filluar në sektorin e makinave dhe evolucioni vitet e fundit ka vazhduar me hapa shumë të shpejtë. Risitë, avantazhet por edhe problematikat do të jenë të shumta. Po ashtu si në sektorin e kompjuterave, telefonave dhe të internetit nuk është çudi që edhe në këtë fushë të shohim aktorë e kompani të reja që do të fitojnë pjesë të rëndësishme të merkatos dhe kompani tradicionale që do të lëvizin më ngadalë.

Ky artikull është pjesë e editorialëve tanë mbi inteligjencën artificiale. Nëse do të dish më shumë të lutem kliko këtu

PËRGJIGJU

Të lutem lër një koment
Të lutem shkruaj emrin këtu

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.