S i e kishim bërë të ditur edhe këtu tek faqet e Lajme.Tech para disa ditësh u hodh në ankand një kurrikulum i gjeniut të Apple Steve Jobs. Aplikimi për punë nuk dihet se cilës kompani i është dërguar, por aty duket qartë viti i aplikimit që është 1973, vetëm një vit pasi themeluesi i Apple ka mbaruar kolegjin.
Aplikimi për punë është në fakt një fletë e vetme e shkruar me dorë dhe që përmban madje edhe disa gabime si për shembull emri i kompanisë Hewlett Packard është shkruar Hewitt Packard ose dhe fjalë të tjera të shkruara me gërmën e parë të vogël e jo të madhe. Kurrikulumi u hodh në ankand nga kompania RR Auction. Bobby Livingston, një ndër drejtuesit e kompanisë, tregon se interesi për kurrikulumin e Jobs ishte i madh sidomos nga biznesmenë të suksesshëm në fushën e teknologjisë. E nuk është çudi që shumë prej tyre ta kenë arritur suksesin falë zhvillimeve teknologjike të arritura nga kompanitë e themeluara nga Steve Jobs.
Ajo që është më interesante thotë Livingston, është fakti që në të ardhmen nuk do të kemi shumë dokumenta të shkruara me dorë dhe vështirë se mund të gjejmë CV të tillë. Dhe për këtë ka kontribuar padyshim vetë Steve Jobs me ndryshimet teknologjike që i ka sjellë njerëzimit në dekadat e fundit.
Në këtë copë flete shohim një djalosh që para 45 vitesh ishte askushi, por që brenda pak vitesh u bë një ndër personat më me influencë të shekullit që sapo lamë pas dhe padyshim edhe të këtij që po jetojmë sot.
Ky artikull është pjesë e editorialëve tanë mbi biznesin. Nëse do të dish më shumë të lutem kliko këtu










