Ndoshta jo të gjithë e dinë, por Windows 10, versioni më i fundit i Sistemit Operativ të kompanisë së njohur Microsoft, mund të shkarkohet akoma falas. Në fakt zyrtarisht Microsoft e ndaloi mundësinë e përditësimit nga versionet e mëparshme në fund të korrikut të vitit 2016. Megjithatë është akoma e mundur për ta shkarkuar për të gjithë personat që përdorin “ose që deklarojnë se përdorin” teknologjitë ndihmëse. Bëhet fjalë pra për ata persona që përdorin tastierën në ekran, ata që kanë probleme me shikimin e përdorin sistemin e shkrimit Braille ose dhe lenten e zmadhimit apo teknologji të tjera të ngjashme. Të gjitha këto teknologji u përmirësuan në mënyrë të ndjeshme tek Windows 10 e prandaj Microsoft vendosi që t’ja ofrojë akoma falas këtyre përdoruesve.
Për të gjithë ata që përdorin apo “deklarojnë se përdorin” – thotë Microsoft. Me sa duket kjo është një strategji e kompanisë për të ofruar akoma falas Windows 10. Në faqen e vet Microsoft nuk duket të ketë ndonjë sistem verifikimi dhe nuk pyet asnjëherë gjatë procesit të instalimit nëse përdorim “teknologji ndihmëse”.
Si Bëhet Përditësimi i Windows 10
Për të përditësuar një kompjuter që ka të instaluar Windows 7.1 ose Windows 8 mjafton që të klikojmë tek faqja zyrtare e Microsoft. Procedura e instalimit është mjaft e thjeshtë. Tek faqja që hapet Microsoft informon klientin mbi mundësinë e shkarkimit të Windows 10 për personat që përdorin teknologji ndihmëse. Nëse shtypim Upgrade Now Microsoft fillon të kontrollojë specifikat e kompjuterit tonë dhe nëse ato pajtohen me sistemin operativ Windows 10 që jemi të interesuar për të instaluar. Kjo faqe është për përdoruesit e Windows në gjuhën angleze. Nëse jemi të interesuar të instalojmë Windows 10 në gjuhën italiane duhet të klikojmë tek kjo faqe që na ofron po të njëjtën mundësi dhe informacione, por në gjuhën italiane.
Ka kohë deri në fund të vitit 2017
Këto ditë Microsoft ka përditësuar faqen amerikane të Windows 10 që ju treguam më lart dhe ka shtuar një informacion shumë të rëndësishëm: versioni i Windows 10 falas për personat që përdorin teknologji ndihmëse do të jetë falas deri në fund të vitit 2017. Pra kush është i interesuar të shkarkojë versionin e fundit të Windows do të ishte mirë të shpejtonte.
Stafi i Lajme.Tech verifikoi disa faqe në gjuhë të ndryshme dhe të vendeve të ndyshme si për shembull atë italiane, franceze, gjermane apo edhe atë angleze per qytetarët britanikë. Në asnjë nga këto faqe nuk gjendet informacioni mbi datën e skadimit. Nuk është çudi që ky informacion të përditësohet së shpejti.
Ndërkohë që është e mundur të përdoret Windows 10 edhe në gjuhën shqipe. Në këtë rast do të këshillonim që të shkakohet Windows 10 në një nga gjuhët më të përdorura dhe pastaj ta ndërrohet në brendësi të vetë sistemit operativ. Për më shumë informacione mund të klikoni këtu.






